123.al
Metoda speciale Japoneze për të krijuar disiplinë…
Disiplina dhe rutina është një nga mjetet kryesore për të arritur sukses në cfarëdolloj fushe. është një nga rregullat pothuajse absolute për të arritur çfarëdolloj rezultati në jetë dhe megjithatë shumica prej nesh e kanë kaq të vështirë të krijojnë një rutinë dhe ta disiplinojnë veten për ta mbajtur atë. Rasti më konkret është stërvitja dhe mbajtja në formë e trupit. Shumica prej nesh e nisin vitin me entuziazëm duke i thënë vetes, që ky është viti i ndryshimit, këtë vit do “bëj namin”, këtë vit do stërvitem çdo ditë etj etj… Dha ja ku erdhi, data 1, data 2, data 3, 4, 5… dhe papritmas ajo energjia sikur fillon e bjen pak nga pak. Pse ndodh kjo? E shpjeguar thjeshtë, shumica prej nesh kanë krijuar rutina dhe zakone në jetën tonë prej shumë kohës të cilat janë të vështira për tu hequr. Mendojeni thjesht, pse është kaq e vështirë të heqësh cigaren, ose kafen ose dicka tjetër të ngjashme. Duam apo sduam, zakonet dhe rutinat janë pjesë e padiskutueshme e jetës tonë dhe në një mënyrë apo një tjetër i kemi disa të tilla, si psh. të lash dhëmbët në mëngjes apo darkë. Sfida është ti kthejmë këto rutina dhe zakone në produktive. Siç e kam thënë edhe tek komuniteti im në Instagram, një nga objektivat e mia për këtë vit është të ndërtoj një trup të shëndetshëm dhe më specifikisht të krijoj një rutinë dhe zakon që më kthehet në të përditshëm. Duke qënë se jam marrë dhe me kërcim sportiv dhe fitnes në të kaluarën, kam pasur shpesh herë trup shumë atletik dhe të definuar, por gjithmonë ka ndodhur që jam fokusuar në dicka tjetër, si puna e biznesit (i cili është dhe aktiviteti im primar) dhe e kam lënë pas dore këtë pjese duke u kthyer sërish në gjëndje fizike jo të mirë. Gjatë jetës time kam pasur të paktën 3 herë trup të definuar, dhe mbi 4 herë (duke përfshirë të sotshmen) trup të shëndoshë dhe jo atletik. Duke ju rikthyer objektivit tim për ta kthyer në rutinë pjesën e stërvitjes, përgjithësisht duke njohur veten e di që në momentin që e vendos në axhendë diçka do ta bëj, por dhe une kam shumë tundime gjatë rrugës… Një ditë është shi, një ditë jam sëmur, një ditë ndodh dicka e papritur në biznes etj etj… Prandaj dhe më duhet një sistem efektif, që ta fitoj këtë sfidë kollaj. Këtu mu kujtua ajo që kisha lexuar para disa kohësh përsa i përket një metode Japoneze të quajtur Kaizen, e cila është ideale për të krijuar një rutinë dhe zakon rreth aktivitetit të dëshiruar. Thuhet që duhen 21 ditë për të formuar një zakon, prandaj dhe metoda Kaizen është e programuar specifikisht për këtë qëllim. Ideja është shumë e thjeshtë dhe praktike dhe konsiston në këto hapa të detajuara më poshtë… 1. Zgjidh aktivitetin e dëshiruar Mendo një zakon që do të krijosh dhe definoje sa më mirë dhe sa më specifikisht të jetë e mundur. Si psh: Dua të stërvitem çdo ditë Dua të lexoj 30 minuta në ditë Dua të bëj ecje sportive çdo ditë Të zgjohem herët çdo ditë Dua të shoh një video edukative çdo ditë etj. 2. Zgjidh një kohë specifike gjatë ditës Metoda Japoneze Kaizen nis duke vendosur një orë specifike gjatë ditës të cilën do ta përdorni për të krijuar një zakon, si psh. do stërviteni çdo ditë në ora 6:00. Kujdes: është shumë e rëndësisshme që ti dedikoheni këtij orari me precizion dhe ta respektoni atë çdo ditë. Pra në rastin e mësipërm është e rëndësisshme që të nisni stërvitjen çdo ditë në ora 6:00 fiks. Këtu mund të vijojmë tek pika 3 dhe sekreti i gjithë teknikës… 3. Bëjeni aktivitetin për 1 minutë (60 sekonda) Një nga arsyet kryesore që dështojmë për të krijuar zakone dhe rutina është sepse na duket e vështirë, psh. dalim për vrap nga liqeni dhe ditën e parë çdo gjë duket e vështirë dhe shumë e lodhshme, aq sa thua që çfarë “budallai” jam për të dalë kur janë gjithë këto pengesa përpara. Ri rehat “Laidi” në shpi dhe gjej ndonjë mënyrë tjetër për tu stërvitur… E kuptoni idenë dhe ja ku është dhe çelësi i suksesit për ta gënjyer mëndjen që në fakt është e thjeshtë. Nesër në mëngjes zgjohuni në ora 6:00 (po bazohem tek shëmbulli i mësipërm) dhe stërvituni për 1 minutë fiks. Mendoni për ushtrimet që mund të bëni gjatë kësaj periudhe. Mund të jenë pompa, kërcim me litar ose çfarëdoqoft që vendosni. Pse funksionon? Sepse është shumë e thjeshtë për tu realizuar dhe është ndryshe nga çfarë jemi mësur të bëjmë. Thuajini mëndjes tuaj që kjo është shumë e thjeshtë dhe do habiteni nga rezultatet. 4. Përsëriteni aktivitetin përgjatë 21 ditëve Një zakon është një aktivitet që e përsërisni në mënyrë të vazhdueshme. Siç është të lash dhëmbët, të zgjohesh, të ushqehesh etj. Një person i disiplinuar është konsistent me objektivat dhe projektet e veta. Ka shumë studime që thonë se mbas 21 ditësh, trupi jonë ka krijuar një zakon prandaj dhe është e rëndësishme ta bëni këtë aktivitet për të paktën 21 ditë. Dhe kjo na çon tek pika e fundit… 5. Pak nga pak përzgjatni kohën Tani që keni krijuar një zakon, është koha për të zgjatur kohën e aktivitetit tuaj nga 1 minut. është shumë e rëndësishme të kuptojmë që i gjithi ky ushtrim është një proces i vazhdueshëm. Qëllimi jonë nuk është ta bëjmë këtë aktivitet vetëm për një kohë të caktuar, qëllimi është ta kthejmë këtë në zakon të përhershëm. Në rastin tim siç e shpreha dhe në fillim të artikullit, objektivi është të kthej në zakon të përjetshëm stërvitjen dhe të jetë diçka që është pjesë e jetës time pa e menduar. Pra duke kuptuar që e gjitha është proces dhe objektivi është afatgjatësia, është e rëndësishme që të mos e ekzagjeroni, pra mos shkoni nga 1 minutë në 1 orë. Ky është gabim i madh, sepse trupi juaj do ta ndërlidhi procesin me emocione negative dhe do rrezikojë ta shkëpus rrjedhën e zakonit. Disa fjalë të fundit rreth teorisë së rutinës dhe disiplinës… Personalisht çdo gjë që bëj duhet të ketë një qëllim të prekshëm nga mbrapa. është paksa e vështirë të fitohet si aftësi, por të mësosh të njohësh veten në thelb dhe të kuptosh realisht se çfarë do të arrish në jetë, është pika kryesore e cila ndikon në plotësimin e objektivave. Për mua çdo objektiv duhet të ketë “jo një” por shumë arsye të forta se pse duhet ta bëj. Një objektiv duhet të jetë domosdoshmëri dhe jo thjesht dëshirë. Duke ndarë objektivat të cilat janë domosdoshmëri për mua nga ato që janë thjesht dëshira, mund ti garantoj dhe vetes që do persistoj ta bëj diçka (një aktivitet) edhe kur të kem ditë të këqija ose ditë që nuk kam dëshirë të bëj asgjë. Duke ju thënë këtë, ju uroj të gjithëve një super vit përpara dhe shpresoj që të gjithë ti arrini objektivat tuaja.
123.al