muskulls

në ngushëllimin që ofron heshtja, në boshllëkun midis librave në raftin e mbytur nga pluhuri, në mes të vargjeve që shkruaj çdo ditë për ngjyrën e syve të tu, në ditët me shi të fillimit të shtatorit, në ëndrrat e gjata që do doja mos t'i kujtoja në mëngjes; të gjej në lotët e të premtes mbrëma, në shakatë patetike të së shtunës, në vaktet e pakëta të së dielës, në trishtimin e një fundjave tjetër ku ndihet mungesa jote.

të gjej në çdo vend ku të humba, të gjej në fletët e bardha ku nuk guxoj të shkruaj as edhe një fjalë. të humba në shëtitjet e vetmuara nën qiellin e gjakosur, nën hënën e çoroditur. të kujtoj në frymëmarrje të shkëputura, në rrahje zemre të çrregullta, në mendime shkatërruese. të kujtoj në supozimet se; ajo nuk është e duhura për ty dhe se kur të të puthi sërish uroj të të djegë lëkura.

uroj të të djegë gjuha kur të artikulosh “të dua,” e uroj ta duash. uroj ta gjesh veten duke menduar për të herët në mëngjes e natën vonë. uroj të të mungojë kur të jetë larg teje e të kesh nevojë për të në çdo moment. pastaj uroj të më shkruash e të më tregosh si ndihesh kur ke dikë që është i sinqertë me ty dhe nuk të lëndon asnjëherë, sado problematik të jetë.

e uroj aty të më gjesh mua. në puthjet që duket se nuk kanë fund, në premtimet e zotimet me gjithë zemër e shpirt, e muskul e nerv; në bisedat për të ardhmen, në ëndrrat për të jetuar së bashku, në emocionet që përjeton sa herë e takon. të më gjesh aty ku më humbe, aty ku nuk do të kthehesh më kurrë.

Ne mundsh - Rudyar Kipling

Ne mundsh - Rudyar Kipling

Në mundsh ta ruash arsyen, kur bota humbet fillin
e fajin ty ta hedh dhe vetes t’i besosh,
sa herë tek ti dyshojnë e s’të përfillin
por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…
Në mundsh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur,
e, kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh,
madje, ndaj shpifjeve të rrish pa folur,
me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…

Në mundsh t’mendosh, por jo gjer në shkatrrim,
të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh,
dhe t’i trajtosh njëlloj e pa dallim
ngadhnjim e shpartallim burim mashtrimesh…
Në durofsh dot thëniet e tua të drejta
në kurthe për trutharët, kopuket që t’i kthejnë,
t’i shohësh të thyera gjërat më të shtrenjta
e prapë t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë…

Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh
si në kumar, në një të vetme lojë,
të rrezikosh, të humbasësh e prapë t’ia fillosh,
dhe humbjen kurrë të mos e zesh në gojë…
Në i detyrofsh dot muskul, nerv e puls e zemër
të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë,
e të qëndrosh kur s’ke asgjë më veç vullnetit,
që vetëm fjalën “Qëndro!” gjithmonë të thonë…

Në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin tënd ta ruash
e t’ecësh përkrah mbretit pa krenari që të verbon…
Nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash,
dhe gjithkend e çmon, por veç sa meriton…
Në mundsh t’i mbushësh ti minutat aq të renda
me vepra që peshojnë
dije dhe mos kij asnjë dyshim,
se jotja do të jetë Bota, me ç’ka brenda,
dhe BURRË do të jesh, o biri im!