autoktonia

3

Shpesh, në Labëri përdoret shprehja : “Ma ke kokën si qen Tërbaçi”!. Natyrshëm lind pyetja, se përse qentë e kësaj treve janë mbartës të emrit të këtij fshati të zonës së Lumit të Vlorës? Emërtime me natyrë toponimike për lloje të ndryshme kafshësh bujqësore në vendin tonë, njihen disa të tilla si p.sh. “dhija e Hasit”, “dhija e Mokrës”, “delja e Lumës”, “delja Shkodrane”, “delja Rude” etj. Secila nga këto raca bagëtish të imta, “Qeni i Tërbaçit” dallohen mes tyre nga tipare të veçanta të prodhimtarisë, të formave trupore, të ngjyrës së mantelit si dhe të disa veçorive specifike. Kështu është edhe me qenin e Tërbaçit.(…)

Qentë e tipit lupoid, janë ato raca që kanë shumë afërsi filogjenetike me ujkun. Dihet shkencërisht se qeni i sotëm Canis familiaris, origjinën e tij të lashtë e ka nga një lloj ujku, Canis lupus. Pra, na rezulton se qeni ynë është shumë i afërt gjenetikisht me të. Si i tillë ai është i lashtë e primitiv, i papërpunuar dhe i pakryqëzuar, rrjedhimisht autokton. Duke qenë edhe tip mollosoid, rezulton se është i lashtë rreth 24 shekujsh. E themi këtë për faktin, se autorë të shumë të antikitetit i përmendin qentë e fiseve mollose të Epirit të Ilirisë, tepër të famshëm në llojin e vet. Thuhet se mbreti mollos Tharypa, preu edhe monedha me pamjen e këtij qeni të famshëm.

Në lidhje me tipin dhe formën e kokës, na rezulton se qeni ynë përafron me racat e qenve anglez. Sigurisht edhe për nga madhësia, në botë ka shumë raca me kokë të madhe. Le ti analizojmë këto dy fakte, për të parë se si qendron qeni ynë në raport me to.(…)

Jo vetëm për ta ruajtur, por edhe për ta fuqizuar qenin e tyre, bariu tërbaçot në shekuj ka përdorur në mënyrë empirike por me shumë rezultat, parimet kryesore të seleksionimit e të çiftëzimit të kafshëve. Mësohet se ata kanë përdorur me sukses në këtë drejtim, çiftëzimin e bushtrave të staneve me ujkun e malit. Gjithashtu ka të dhëna, se edhe qentë meshkuj kanë ndërzyer ulkonjën. Shkencërisht dihet se ujku dhe qeni i përkasin familjes së përbashkët Canide, prandaj midis tyre mund të realizohet çiftëzimi kryqëzues i tipit alternativ. 

Përveç kësaj, intuita dhe zgjuarsia natyrore e barinjve tërbaçot, nuk ndalej me kaq. Pasi bushtra pillte, kulishët mbaheshin 1,5–2 vjet brenda në katua në errësirë të plotë dhe larg njerëzve e kafshëve të tjera. Kjo, derisa ata të bëhen të aftë si qen roje stani. Në të njejtën mënyrë vepron edhe ulkonja, e cila këlyshët e saj të vegjël i nxjerr nga strofulla vetëm natën. Gjatë kësaj kohe, këlyshët ushqehen me produkte shtazore si bulmet dhe mish, ashtu si edhe ujku. Për fanatizmin dhe xhelozinë ndaj qenit të tyre, flet edhe ky fakt. Rreth viteve 1870, një nëpunës i xhandarmërisë turke qw punonte në krahinën e Mesaplikut – Vlorë, ka marrë vjedhurazi një çift këlyshësh të vegjël të këtij qeni dhe i ka çuar ata në krahinën e Pejë – Junikut (Kosovë)

(via)